Google ADS

Avokati kërkon lirimin e të akuzuarit për pjesëmarrje në grupe terroriste

23:09 | 18 Qershor 2018
M. A.

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për pjesëmarrje në grupe terroriste, Nexhat Ademit, i cili u dënua me tre vjet burg nga shkalla e parë.

Avokati i tij, Samedin Cena, ka parashtruar ankesë në Apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë përmes të cilit ka kërkuar që të lirohet i mbrojturi i tij.

Këtë ankesë e ka parashtruar me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljeve të ligjit penal si dhe vendimit mbi dënimin.

Avokati Cena pretendon se në asnjë moment nuk është mundur të vërtetohet kryerja e veprës penale.

Sipas avokatit, shkalla e parë ka vërtetuar se i akuzuari ka publikuar disa video në rrjetin social “Youtube”, pamje këto në të cilat shihet Ridvan Haqifi, ky i fundit pjesëmarrës në luftën e Sirisë, flamuri i ISIS- it, si dhe disa pamje të tjera me përmbajtje të ngjashme, mirëpo, këto pamje me asnjë dispozitë ligjore nuk përbëjnë elementet e figurës së veprës penale.

Madje, sipas tij me asnjë provë nuk është vërtetuar se video ka qenë e publikuar nga llogaria e Ademit.

“Nga përgjigjet zyrtare të operatorëve të telefonive mobile “IPKO”, “Vala” dhe “Z Mobile”, që operojnë në Republikën e Kosovës, është vërtetuar se asnjëri nga numrat që ka përdorur i akuzuari nuk janë aktivizuar në territorin e Turqisë dhe Sirisë”, ka shtuar avokati në arsyetimin e tij.

Po ashtu, ai ka thënë se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor janë në tërësi në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës, përkatësisht me veprimet të cilat konsiderohen se i ka kryer Ademi.

Nga arsyet të cilat i ka cekur avokati, ka kërkuar që pas shqyrtimit të kësaj ankese, Gjykata e Apelit të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit do të aprovohet në tërësi e bazuar ankesa e tij, duke anuluar kështu aktgjykimin e shkallës së parë

Më 12 mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me tre vjet burgim Nexhat Ademin.

Nexhat Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Në bazë të aktakuzës, qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra” dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Nexhat Ademi sipas Prokurorisë qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte “Al-Nusra” dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme