Delegacioni i Kuvendit pritet nga Grupi i miqësisë në Senatin e Francës

20:20 | 18 Qershor 2018
M. A.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të pozitës dhe opozitës, është takuar në Paris me kryetaren e Grupit të Miqësisë në Senatin francez, Marta de Cidrac.

Zyra për media e Kuvendit të Kosovës, thotë se në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, me fokus integrimi evropian dhe liberalizimi i vizave.

Sipas njoftimit, kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj në këtë drejtim, si nga legjislativi, duke miratuar ligjet përkatëse dhe marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ashtu edhe nga qeveria. Veseli tha se Kosova llogaritë në miqtë e saj francezë, tashmë të dëshmuar në mbështetjen e pakursyer ndaj saj në të gjitha proceset.

“Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e parapara për liberalizim të vizave dhe presim që shumë shpejt qytetarët tanë të gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Franca ka qenë gjithmonë mbështetëse e Kosovës dhe jemi të sigurt se kjo mbështetje do të vazhdoj edhe në këtë fazë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kryetarja e Grupit të Miqësisë, Marta de Cidrac, falënderoi kryeparlamentarin Veseli dhe delegacionin kosovar për vizitën dhe mundësinë e komunikimit nga afër për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

“Franca është përkrahëse e madhe e Kosovës dhe është duke përcjellë nga afër çdo proces të rëndësishëm nëpër cilin kalon rajoni dhe Kosova. Ne e përkrahim rrugëtimin e Kosovës në integrimet evropiane”, ka thënë Cidrac.

Në takim, u bisedua po ashtu për thellimin e bashkëpunimit midis Senatit francez dhe Kuvendit të Kosovës, në të cilin, bashkëbiseduesit u pajtuan se një rol të veçantë luajnë grupet e miqësisë në parlamentet respektive.

Të ngjashme