Xhaka kujton përballjen e parë me Neymarin: Rrëzohej shpesh madje edhe nga prekja më e vogël

16:25 | 17 Qershor 2018
Arbresh.info

Përballja e parë e Granit Xhakës me Neymarin ishte e lehtë por e paharrueshme. “Nuk i duhej shumë për të rënë për toke, madje edhe prekja më e vogël mjaftonte – kështu e mbaj në mend atë”, thotë mesfushori shqiptar i Arsenalit dhe Zvicrës.

Ballafaqimi i tyre ndodhi në Kupën e Botës U-17, në vitin 2009, kur ekipi i Xhakës u takua me Brazilin e Neymarit në ndeshjen përfundimtare të fazës grupore, dhe ishte ndeshje direkte.

Xhaka startoi në krahun e djathtë të mesfushës, ndërsa Neymar në të majtin.

Zvicra e kishte të sigurt kalimin në fazën e eliminimit direkt, pasi i kishte fituar dy ndeshjet e para në grup, por Brazilit i nevojitej të paktën një barazim. Të cilin s’e mori. Zvicra triumfoi me golin e vetëm të shënuar nga Nassim Ben Khalifa – që tani luan në St Gallen – pas një harkimi nga këndi i Xhakës.

Granit Xhaka me shokë duke e festuar fitoren ndaj Brazilit në Kupën e Botës U-17 më 2009

Zvicra e Xhakës ia doli dhe e fitoi Kupën e Botës për grupmoshat U-17, duke e mposhtur Nigerinë në finale.

Për Xhakën ngjarjet e vitit 2009 janë sfond i ndeshjes hapëse të Zvicrës në Kupën e Botës sonte në Rusi kundër Brazilit, bashkë me disa mësime. “Kryesori që e mësova ishte se në futboll gjithçka është e mundur”, thotë 25-vjeçari.

Granit Xhaka, tani në ekipin senior, duke diskutuar me trajnerin e Zvicrës, Vladimir Petkovic

“Është ëndërr standarde për çdo fëmijë sepse Brazili është gjithmonë skuadra që dëshiron ta mposhtësh. Para se të luanim kundër tyre më 2009, ishim shumë të ngazëllyer. Mbaj mend se Neymar, Coutinho dhe Casemiro luajtën. Casemiro tashmë ishte shumë muskulor – si dem, siç është edhe sot”, shton Xhaka.

Komentet e Xhakës për Neymarin tingëllojnë provokues, por për të ato janë thjesht nënvizim i fakteve. “Mbaj mend se rrëzohej shumë shpesh dhe shumë lehtë. Çfarë të them? Ky ishte realiteti. Ashtu ndodhi gjatë ndeshjes”, insiston Xhaka.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme