Ky fillimviti ka pasur si kryefjalë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Për herë të parë, Brukseli ka folur edhe me vepra, sa i përket integrimit të rajonit, duke u angazhuar kështu për të çuar përpara këtë proces.
Por, ndërkohë që Brukseli duket se është në favor të anëtarësimit të 6 vendeve, këto 6 vende nuk janë aspak gati për anëtarësim. Përkundrazi, distanca është mjaft e madhe, jo vetëm në terma makro, por edhe në detaje.
Standardi i jetesës së shqiptarëve është shumë larg atij të evropianëve të tjerë dhe disa studime flasin për shekuj larg.
Shqipërisë nuk do t`i mjaftojë as ky shekull për të arritur standardin e vendeve të Bashkimit Evropian. Një raport i “Open Society” Bullgari, i përpunuar dhe pasqyruar më pas nga prestigjiozja “Bloomberg“, tregon se, Shqipërisë dhe Serbisë do t`i duheshin pak më shumë se 80 vite për të arritur 90% të standardeve të jetesës së Bashkimit Evropian.
Kjo, sqaron “Bloomberg“, do të thotë se Shqipëria nuk do ta arrijë dot Bashkimin Evropian brenda këtij shekulli, pra brenda vitit 2100, gjë që realisht është një “kambanë alarmi”. Madje, në raport, për Shqipërinë vihet shenja “mbi”, çka do të thotë se duhet të kalojë edhe viti 2100. Kjo shifër përllogaritet mbi ecurinë aktuale të ekonomisë shqiptare. Në rast të një “boom”-i ekonomik, apo të ndonjë krize, kjo shifër do të përmbysej tërësisht.
Pak kohë më parë, Banka Botërore nënvizonte se, Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë i duhen 60 vite për të arritur standardin e Evropës, ndërkohë që të tjera studime flasin për diçka më pak. Sido që të jetë, të gjithë duket se janë të sigurt se, do të duhet të kalojnë dekada përpara se shqiptarët të mund të jetojnë si të ngjashmit e tyre në Evropë, e ndoshta edhe një shekull, siç thotë “Bloomberg“ dhe “Open Society“.
Ky projeksion fatkeq duhet të shërbejë sot për të ndryshuar të ardhmen. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është përpjekur gjithashtu të masë, jo vetëm largësinë e Ballkanit Perëndimor me Evropën, por edhe vetë diferencat mes vendeve të rajonit. Ekonomive të rajonit do t`u duhen të paktën 40 vite për të arritur nivelin e vendeve evropiane, në rastin më të mirë, thotë BERZH. Në rastin më të keq, do të duhet të kalonin plot 2 shekuj.
Në skenarin më optimist, vendet e rajonit duhet të regjistrojnë norma rritjeje si ato të përpara krizës, ndërsa në skenarin më të keq, normat e rritjes do të ishin si ato të paskrizës.
Në skenarin më të mundshëm, thotë BERZH, rajonit do t`i duheshin 60 vite për të barazuar Evropën, periudhë kohore kjo e ngjashme me një tjetër parashikim të fundit të Bankës Botërore.
E ndërkohë që i gjithë rajoni do të dojë shumë dekada të arrijë Bashkimin Evropian, Shqipëria duket se do ta ketë më të vështirë se të tjerët. Indeksi i tranzicionit të ekonomive të rajonit drejt një ekonomie të qëndrueshme tregu, e rendit Shqipërinë të 4-tën në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, ndërkohë që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë shumë përpara.
Performancën më të dobët, vendi ynë e regjistron në drejtim të mirëqeverisjes dhe në drejtim të konkurrueshmërisë, ku jemi të parafundit, më mirë vetëm se Kosova, çka do të thotë se, dy shtetet shqiptare janë të fundit në rajon në garën ekonomike, dhe se duhet gjatë dekadave që vijnë të eliminohen diferencat jo vetëm me Evropën, por sidomos me fqinjët.
Tre herë larg anëtarësimit
Shqiptarët janë më shumë se tre herë më të varfër se europianët e tjerë, ose më saktë tre herë më të varfër se të gjitha vendet e tjera të Europës së bashkuar, përpara anëtarësimit të tyre në union. Të dhënat e Institutit të Vienës për Studime Ekonomike e vendosin Shqipërinë të fundit në Europë, sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të shprehur në fuqi blerëse, pra të konvertuar sipas çmimeve, gjë që e bën më real këtë indikator.
Shqipëria është e fundit në kontinent me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të shprehur në fuqi blerëse, në 29% të mesatares evropiane, në momentin e anëtarësimit në Union. Për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që janë thuajse në një valë në procesin e anëtarësimit, kjo normë ngjitet në mbi 30%. I shkëputur nga të tjerët është vetëm Mali i Zi, me një normë në 46%, që është më e lartë se Rumania dhe Bullgaria në momentin e anëtarësimit të tyre.
Kjo do të thotë se, aktualisht Mali i Zi është më mirë se ç`ishin rumunët dhe bullgarët kur u anëtarësuan në union. Eurostat ka përditësuar të dhënat e konsumit për frymë në Europë, dhe në analizë merret edhe Shqipëria. Të dhënat janë përkthyer në standardet e fuqisë blerëse, çka do të thotë se, shifrat nuk janë absolute, por janë konvertuar edhe në bazë të të ardhurave, pasi një gjerman dhe një shqiptar nuk mund të krahasohen në kushte jo të barabarta.
Nga këto të dhëna rezulton se, mesatarisht një shqiptar konsumon në vit sa 37% e mesatares së Bashkimit Evropian. Pra, pak më shumë se një të tretën e një europiani mesatar. Me një normë të tillë, Shqipëria është e fundit në Europë, në kushtet kur krahasimi bëhet i barabartë. Eurostat thotë gjithashtu se, në krahasim me vitin paraardhës, shqiptarët janë varfëruar në këtë drejtim, pasi norma fiksohej në 38% të mesatares së Bashkimit Evropian.
Shifrat janë të frikshme dhe tregojnë jo vetëm diferencën e theksuar me Evropën, por edhe me fqinjët. Një qytetar mesatar i Malit të Zi konsumon mesatarisht 50% më shumë se një shqiptar në një vit, thotë Eurostat.
Më mirë se Shqipëria është edhe Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Serbia, e kështu me radhë të gjitha vendet evropiane dhe rajonale. Shqiptarët konsumojnë një të katërtën e zviceranëve në një vit, apo edhe të norvegjezëve. Indikatori i konsumit aktual për individ është një tregues mjaft i saktë i mirëqenies së një shteti dhe renditja e Shqipërisë në vend të fundit në kontinent është një “kambanë alarmi”.
Pagat, distancë e frikshme edhe me fqinjët
Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajon me një diferencë realisht të frikshme edhe me fqinjët më të afërt. Kjo vlen edhe në rast se krahasimi bëhet në bazë të pagës mesatare mujore të shprehur në fuqi blerëse. Këtë e thotë vetë Banka Botërore.
Sa i përket pagave, që janë burimi kryesor i të ardhurave, i konvertuar në një vlerë që tregon se çfarë mund të blejnë realisht me këto para, tregon se shqiptarët e Shqipërisë kanë një pagë mujore sa 68.6% e shqiptarëve të Kosovës që janë të dytët në listën e shteteve të rajonit me pagën më të ulët. Shtetasit e Malit të Zi janë ata që kanë pagat më të larta, dhe në Shqipëri pagat janë sa 50.8% e pagës së tyre të shprehur në fuqi blerëse.
Në krahasim me austriakët ndërkohë, shqiptarët e Shqipërisë kanë një pagë 27% më të ulët për të konsumuar në vendin e tyre. Edhe në terma absolutë, me një pagë në 334 euro në muaj, shqiptarët e Shqipërisë janë ata me pagën më të ulët, ndërkohë që më pas ndjekin serbët. Të dhënat për pagat i referohen vitit 2016 thotë Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës. Në terma më banalë, në rast se një shqiptar i Kosovës mund të blejë 6 pako makarona dhe një malazez 8 të tilla me pagën e tij mujore, një shqiptar i Shqipërisë mund të blejë vetëm 4 pako makarona në muaj me pagën e tij.
Pengesat e Ballkanit për në BE
Samiti i Sofjes ka rikthyer në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe atij akademik në Evropë debatin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Instituti i Vienës për Studime Ekonomike ka publikuar një studim të ri të posaçëm për këtë çështje, pra perspektivën e rajonit për t`iu bashkuar pjesës tjetër të Europës. Qysh në fillim, Instituti i Vienës nënvizon faktin se, anëtarësimi i rajonit në vitin 2025 është skenari më optimist i mundshëm, në rast se gjërat do të “shkojnë vaj” për 6 vendet. “Ne nuk e përjashtojmë tërësisht mundësinë e integrimit të Malit të Zi dhe Serbisë në 2025”, thuhet në këtë raport. Por, megjithatë, thuhet më tej, kjo datë duhet të shërbejë për të incentivuar vendet e rajonit që të çojnë përpara reformat kyçe.
Një ndër pikat e tjera të evidentuara në raport është dhe fakti se, 6 vendet e rajonit duhet të adresojnë patjetër çështjen e deficitit të theksuar në infrastrukturë si dhe të zgjerojnë bazat e tyre industriale, në rast se duan që të arrijnë kriteret ekonomike të anëtarësimit. Shqipëria vlerësohet si vendi i dytë me peshën më të ulët të manifakturës në ekonomi, me pak më shumë se 5%. Deficiti në infrastrukturë vlerësohet si mjaft i madh dhe se pengon së tepërmi ndërlidhjen e rajonit. Deficiti vlerësohet i lartë edhe në qeverisje. Madje, Instituti i Vienës shkon edhe më tej duke theksuar se, në kushtet aktuale, ky kriter tregon se në vitin 2025 asnjë nga 6 vendet nuk do të anëtarësohet dot.
Në këtë indikator dhe sidomos në nënindikatorin që i referohet sundimit të ligjit, Shqipëria regjistron ndër performancat më të dobëta mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pengesa të tjera vlerësohen edhe konfliktet rajonale, por edhe faktorë të jashtëm, si influenca ruse apo kineze. E ndërkohë që rajoni duket se është ende shumë larg Evropës, disa vende ndër të gjashta, janë edhe më larg. Në pjesën dërrmuese të indikatorëve, si qeverisja, infrastruktura, të ardhurat për frymë dhe industria, për fat të keq, Shqipëria dhe Kosova janë të fundit, çka përkthehet në një proces relativisht të gjatë anëtarësimi.
Nga Roel Korkuti/SCAN
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës