Ndotje ekstreme në Delhi, edhe aparaturat nuk e masin dot

21:52 | 15 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Ndotja e ajrit në kryeqytetin indian këtë javë arriti rekorde që do të mbesin mister, pasi aparaturat nuk janë në gjendje të masin nilvein e lartë të smogut.

Prej disa ditësh, një mjegull e trashë toksike mbulon Delhin, muaj përpara sezionit tradicional të ndotjes në qytet. Autoritetet indiane thanë se disa prej aparaturave matëse të vendosura në zona të ndryshme të qytetit treguan shifrën 999 në ekranet e tyre, më e larta që ato mund të masin përsa i takon përqendrimit të grimcave të dëmshme në ajër, transmeton TCH.

Një stuhi rëre që u formua në rajon sigurisht që ka përkeqësuar situatën, por ekspertët thonë se ndotja e vetë qytetit është faktori kryesor. Cilësia e ajrit në Delhi zakonisht përkeqësohet ashpër në tetor, kur erërat e ngadalta dhe temperaturat më të ulta bëjnë që ndotësit të qëndrojnë më pranë tokës. Por nivelet e pamatshme të ndotjes të kësaj jave kanë shkaktuar panik në popullsi, që kërkon me forcë masa nga autoritetet.

Këto të fundit kanë ndaluar ndërtimet në kryeqytet dhe zonat rreth tij, ndërsa mjekët këshilluan njerëzit që të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Kritikët thonë se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet, pasi sipas një plani të vitit 2017, nëse ndotja do të arrinte nivele të tilla, në qytet nuk duhen lejuar kamionët si dhe duhen ndalur industritë ndotëse e gjeneratorët diezel, masa që nuk janë marrë.

Një studim i vitit 2015 tregoi se gjysma e 4,4 milionë nxënësve në Delhi kanë zhvillim jo të plotë të mushkërive që nuk do të riparohet kurrë, duke treguar qartë se fëmijët janë më të prekurit nga ndotja e theksuar në kryeqytetin indian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme