Ikja e dy gjyqtarëve ndërkombëtarë paralizon Kushtetuesen

21:46 | 14 Qershor 2018
A. B.

Dy ditë më herët, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi, i përcolli dy gjyqtarët e fundit ndërkombëtarë në këtë institucion, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova.

Në një fjalë rasti në ceremoninë lamtumirëse, Rama-Hajrizi i vlerësoi për punën dhe theksoi se zëvendësimi i tyre do të jetë sfidues e i vështirë, raporton KTV.

Por, gjyqtarët ndërkombëtarë, në dy raste, nuk janë treguar shumë të interesuar për punën e tyre në Kosovë.

Ish-gjyqtari Robert Carolan, njëkohësisht, kishte mbajtur kundërligjshëm edhe pozitën e gjyqtarit në Gjykatën e Minesotas, derisa ishte një prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjithashtu e porsalarguara Snezhana Botusharova kishte gjetur kohë që të angazhohej në një projekt 30 mujor, në përkrahje të Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë.

Pavarësisht këtyre, përfundimi i mandatit të gjyqtarëve Botusharova dhe Rodrigues e paralizon Gjykatën Kushtetuese.

“Pas përfundimit të mandatit të dy gjyqtarëve ndërkombëtarë: Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova, Gjykata Kushtetuese humb kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje dhe rrjedhimisht nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë asnjë vendim”, ka thënë Veton Dula, zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese.

E dhjetë ditë pas tyre, fundin e mandatit të tyre në Kushtetuese e kanë edhe zëvendëskryetari Ivan Çukaloviq dhe Altay Suroy.

Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, në takimin e kësaj të marte, ka konstatuar se 16 kandidatë i plotësojnë kushtet, për t’iu nënshtruar testit me shkrim dhe intervistimit me gojë.

Kuvendi i Kosovës, pasi dështoi të zgjedhë fillimisht tre gjyqtarët e ardhshëm, përsëriti procedurat e konkursit dhe pritet që emrat e 6 kandidatëve t’i paraqesë për votim para Kuvendit potencialisht në javën e fundit të qershorit.

Radomir Llaban është gjyqtari i fundit që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Por, Llabani ende nuk është dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi, pas raportimeve për përfshirje në aktivitetet kriminale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme