Një deklaratë e kryeministri Edi Rama për kalimin me pagesë në autostradën Tiranë-Durrës bëri bujë gjatë dy ditëve të fundit edhe pse ky projekt ka kohë që lakohet nga qeveria në qeveri.
Futja në skemën e rrugëve me pagesë e arteries kryesore të infrastrukturës rrugore në vend u argumentua nga kreu i qeverisë si një mundësi për ta mirëmbajtur atë në standardet e nevojshme.
“Rruga Tiranë-Durrës nuk është një rrugë që thjesht meriton mirëmbajtje, është një rrugë që ka tanimë domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të korrikut, ku duam të vlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes, në aksin ekzistues me pagesë, ndërkohë rindërtimin dhe pastaj shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi shumë të rëndësishëm dhe të degraduar në maksimum për kaq shumë vite, Tiranë-Ndroq-Plepa që hap dhe një perspektivë për zhvillimin e mëtejshëm të agroturizmit, ku aty ka disa shenja të para dhe ku ka peizazhe dhe potenciale të jashtëzakonshme për agroturizmin” tha Rama.
Por ndërkohë që deklaratat tregojnë për një opsion që nuk është i panjohur, pikëpyetja lidhet me afatin se kur do të bëhet me pagesë autostrada Tiranë-Durrës. Burime pranë Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë thanë për “Monitor” se kjo nuk pritet të jetë në një periudhë të afërt pasi edhe vetë procedurat që duhet të ndiqen për një rast të tillë nuk mund të kalohen kaq shpejt.
Kalimi i menaxhimit dhe operimit të kësaj rruge tek privati kërkon studimin e gjendjes së rrugës, studim fizibiliteti që nxjerr edhe tarifën (edhe pse një ide e ka dhënë një studim i bërë nga Egnatia Odos), vlerësimin e nevojës për investim, hartimin e termave të referencës për një procedurë konkurrimi, vlerësimin e ofertave, lidhjen e kontratës e kështu me radhë. Të gjitha këto do të duan një kohë të konsiderueshme çka nuk e bën periudhën e futjes në sistem pagese të aksit Tiranë-Durrës në afatshkurtër.
Aktualisht rruga është duke u riparuar, një ndërhyrje minimale që po realizohet përmes kontratave të mirëmbajtës të cilat janë hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe përfshijnë një total prej 1335 kilometra në gjithë vendin.
Qeveria deklaroi pak kohë më parë se një ndërhyrje tërësore dhe me standarde në rrugë do të kërkonte 30 milionë euro, një projekt që nuk gjeti mbështetjen e Bankës Botërore dhe që solli për pasojë ndërhyrjen me “arna” në rrugën aktuale.
Opsioni i dytë ishte ai i një ndërhyrjeje më modeste, prej 11 milionë dollarësh, por duket se qeveria ka vendosur që të shkojë me alternativën e parë dhe aktualisht është duke kërkuar gjetjen e institucionit financues të projektit.
Aktualisht trafiku ditor në rrugë luhatet mes 20-30 mijë sipas seksioneve por ky numër në disa raste rezulton edhe më i lartë. Lidhja me Portin e Durrësit por jo vetëm është një element që tregon se një pjesë e mirë e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks janë të tonazhit të rëndë./monitor
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...