Hoti: Na duhet mbështetje qytetare për të bërë hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike

15:11 | 13 Qershor 2018
Arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka shkruar për disa nga parregullsitë që po ndodhin në qeverinë Haradinaj, Kuvendin e Kosovës si dhe në Presidencë, duke thënë se koalicioni qeverisës është jofunksional.

Hoti në rrjetin social Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse.

Lexoni të plotë postimin e tij:

“Koalicioni qeverisës i ‘vendimeve të mëdha’ është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha. Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje.

Partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill Kryeministrin. Ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë. Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota. Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim.

Presidenti i vendit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e ri, siç e parasheh kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. Na duhet mbështetje e madhe qytetare për të bërë hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme