Google ADS

Pas 14 qershorit aktivitetet e EULEX-it barten në Zyrën e BE-së

12:52 | 13 Qershor 2018
Arbresh.info

Misioni i EULEX-it në Kosovë edhe zyrtarisht do të përfundojë nesër.

Lidhur me këtë, shefja e këtij misioni, Alexandra Papadopoulou, ka bërë të ditur se pas kësaj date, në Kosovë më nuk do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, transmeton lajmi.net.

“Jemi afër fundit të këtij misioni dhe po përgatitemi për një mandat të ri. Formati ekzakt dhe numri i stafit të EULEX-it do të dihet pas këtij muaji. Kjo varet edhe nga vendimet e shteteve të tjera”, është shprehur Papadopoulou.

Mandati i ri i këtij misioni do të zgjasë deri më 14 qershor të vitit 2020, ndërsa Papadopolu thotë se janë në fazën e hartimit të një plani gjithëpërfshirës, me fokus të lartë në qëndrueshmërinë e procesit të tranzicionit si dhe për të siguruar që institucionet lokale mund të parandalojnë një rënie serioze të ndikimit të tyre pas largimit të EULEX-it.

“Njëra pjesë e aktiviteteve tona do të transferohet në zyrën e BE-së në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër në sistemin juridik të Kosovës, e në anën tjetër EULEX-i do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën duke monitoruar aktiviteteve të ndryshme si dhe në bazë të operacioneve të limituara funksionale”, deklaroi Papadopolou për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Duke folur për mënyrën e monitorimit të këtij misioni në të ardhmen, Papadopolou thotë se përqendrim i veçantë do të jetë në fushën e drejtësisë dhe gjykatave, mirëpo edhe në funksionalitetin e Policisë së Kosovës.

Papadopolou po ashtu tha se EULEX-i është duke asistuar për implementimin e dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe suksesi i marrëveshjes sipas saj do të dërgonte në hapjen dhe vendosjen e kalimeve të përbashkëta për pjesëtarët e komuniteteve shqiptare dhe jo-shqiptare.

Misioni ndërkombëtar i EULEX-it në Kosovë është që nga viti 2008, mision ky i cili funksionon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme