NISMA në Gjilan mban Kuvendin e të rinjve, Hasani thotë se kjo komunë ka nevojë për energji të reja

19:27 | 12 Qershor 2018
Arbresh.info

NISMA Socialdemokrate në Gjilan është duke vazhduar procesin zgjedhor. Në këtë kuadër sot është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i të rinjve. Kryetare e të rinjve të NISMA Socialdemokrate në Gjilan u zgjodh Arta Mustafa.

Kryetari i degës së NISMA në Gjilan, Bajram Hasani, njëherësh ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës me këtë rast ka thënë se politika ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm e humanë, të cilët punojnë për vendin dhe qytetarët e Kosovës dhe se të tillë janë të rinjtë e NISMA Socialdemokrate në Gjilan.

“Energjia dhe dëshira për ta bërë Kosovën tonë një vend ku secilit i jepet mundësia për jetë të dinjitetshme, shkollim e punësim të mirë është detyrë e jona. Por, asgjë nuk mund të bëhet pa forcën e rinisë. Janë këta të rinj e të reja të cilët duke i ditur sfidat me të cilat përballen, të cilët i jetojnë këto sfida çdo ditë, kanë vendosur të angazhohen në jetën politike.”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Gjilani dhe Kosova kanë nevojë për idetë e të rinjve dhe energjinë e tyre për të ecur përpara me një drejtim qeverisës që kujdeset për të gjithë njerëzit.

Ai ka bërë me dije se në praninë e 117 delegatëve u zgjodh kryetarja e rinisë, Arta Mustafa dhe 17 anëtarët e kryesisë.

Me këtë rast, ai ka falënderuar për punën e tij të palodhshme edhe kryetarin e deritashëm të rinisë, Kenan Ahmeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme