Kundërkultura e viteve 1960 nxiti një shpërthim artistik në SHBA. Por, a ishin të privilegjuar në këtë perceptim fëmijët e luleve? Për artin e kësaj epoke të ndryshimeve, shkruan Devon Van Houten Maldonado, transmeton Telegrafi.
U revoltuan kundër luftës dhe prerjes së flokëve, shpikën forma të reja të artit nën ndikimin e substancave psikodelike, dhe e imagjinuan artin dhe jetën si të pandashme në të ardhmen që do të kapërcejë shabllonet e Perëndimit. Ata ishin hipikët. Ky vizion i Fëmijëve të Luleve për një utopi të dashurisë ishte naiv e në fund doli edhe zhgënjyes.
Panterat e Zinj, aktivistët e lëvizjes Chicano dhe gratë që luftonin për të drejtat civile, gjithashtu lanë gjurmë në estetikën dhe artet e kundërkulturës amerikane, por lëvizjet e tyre u shkruan në histori si politike. Ndërkaq, teksa hipikët janë kuptuar kryesisht si një lëvizje kulturore, shpesh fëmijërore dhe e satirizuar, edhe ata ishin lëvizje politike. Natyrisht, e vërteta ishte më e komplikuar sesa historia e shkruar në një peizazh të diskutueshëm të mbushur me konflikte shpërthyese dhe kreativitet fantastik.
Në ekspozitën e vitit 2015 – “Modernizmi hipik: Lufta për Utopi”, në Qendrën e Arteve Walker në Mineapolis – kuratori Andrew Blauvelt synonte të tregonte se si të nxitur nga energjia e viteve të begatshme të pasluftës, lëvizjet kundërkulturore rreth hipikëve e hapën skenën e postmodernizmit. Vitet 1960 dhe fillimi i viteve 1970 shënuan kulmin dhe përfundimisht dështimin e ëndrrës moderne të një bote pa dhimbje dhe pa vuajtje. Vitet që pasuan çuan në një epokë të re të përcaktuar nga neoliberalizmi dhe kapitalizmi global.
“Historia e artit modern, e arkitekturës dhe dizajnit merr një rrugë tjetër gjatë kësaj periudhe”, thotë Blauvelt për BBC Culture, “duke sugjeruar një histori alternative të modernizmit, në fund të shekullit të XX-të. Kjo po rishfaqet sot, sepse pjesërisht po përballemi me të njëjtat vështirësi sociale, politike, ekonomike dhe mjedisore si atëherë, të cilat kurrë nuk u larguan me të vërtetë”.
Ekspozita në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Çikagos (MCA), “Vera e pafund”, e komplikon më tej narrativen historike të lëvizjeve të artit nëpër kohë, duke u fokusuar në lëvizjen kult të quajtur Minimalizmi Kalifornian. Gjithashtu i njohur si Finish Fetish ose si arti i Dritës dhe Hapësirës, veprat janë të shndritshme, të gjalla dhe industriale, që burojnë nga makinat sportive dhe kultura e sërfit në Los Anxhelos, por edhe nga psikodelia. Lëvizja nuk përshtatet lehtë në narrativen e historisë së artit të Minimalizmit apo Pop Artit – reagimet ndaj Ekspresionizmit Abstrakt – e as në estetikën e hipikëve. Por, arrin të lidhë atë ndarje. Ndonëse të nënvlerësuar, lëvizja ndikoi tek disa prej artistëve më të njohur sot. Ndoshta shembulli më i mirë është James Turrell, i cili Dritën dhe Hapësirën e çoi në lartësi të reja.
Karakteristika unifikuese e këtyre lëvizjeve, në të vërtetë të revolucionit të kundërkulturës që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe botën duke filluar nga vitet 1960, ishte një ndjeshmëri anti-establishment e unifikuar kundër “sistemit” ose status quo-së. Për këtë qëllim, këto lëvizje kërkuan një unifikim të estetikës dhe etikës, të artit dhe të jetës, një idealizëm që shpejtë ra.
Pavarësisht nga retorika konservatore e epokës Reagan që thoshte se citati i famshëm nga Timothy Leary, “turn on, tune in, drop out” (çohu, përshtatu, tërhiqu) ishte dështim moral dhe kulturor, vizioni psikoldelik i hipikëve ishte produktiv, shton Blauvelt: “Mendimi utopik i kundërkulturës ishte shumë i rëndësishëm, si mënyrë për të paramenduar një jetë tjetër, më të mirë, ose një mënyrë tjetër jetese. Jo jetën e përditshme ekzistuese, por jetën e re të imagjinuar… të çliruar nga gjërat si shtypja teknokratike shoqërore, shtypja racore dhe seksuale, nocionet konvencionale kapitaliste të pronësisë dhe pronës individuale”.
Vitet 1960 shënuan një bashkim të politikës dhe kundërkulturës, një reminishencë kjo e lëvizjeve të hershme moderniste si Dada dhe Fluksus, por në një shkallë shumë më të madhe. Hipikët dhe grupet e tyre, më shumë se çdo grup tjetër anti-establishment, e integruan artin dhe jetën në mënyrën ku që të dyja ishin të padallueshme – një ide që bartet në artin bashkëkohor sot.
Idetë anti-establishment, anti-akademike dhe anti-trend të hipikëve u përhapën përmes publikimeve vetanake e më vonë të atyre nëpër shkolla, si Instituti Kalifornian i Arteve në Valenci (1969) dhe Shkolla e Poetikës pa Trup e Jack Kerouacut ( 1974) në Universitetin Naropa në Boulder të Kolorados. Këtu, status quo shpërtheu dhe u ribashkua në mënyrat e reja të të menduarit, të cilat i bënin jehonë artit, letërsisë dhe jetës edhe në shekullin e XXI-të.
Lëvizja Minimaliste Kaliforniane, ndonëse nuk u mësua kurrë si pjesë e planprogramit në kurset e historisë së artit universitar, ishte popullor në Kaliforninë jugore, thotë kuratori i “Verës së pafund”, Michael Darling. Ka përjetuar një ringjallje kohëve të fundit, në panaire të artit dhe në koleksionet kryesore të muzeve, jo ndryshe nga ideologjitë e hipikëve. Megjithatë, Minimalistët Kalifornian dolën nga skena e makinave sportive maskuline të viteve 1950 dhe nga kultura e sërfit në Los Angeles, që përputhen në modernitetin më shumë se kultura hipike, thotë ai për BBC: “Këta njerëz kryesisht filluan si ekspresionistë abstraktë”, Pra, artistët ishin shumë të vjetër për të qenë hipikë, por shkëmbenin mendimet, i rrisnin flokët dhe pinin edhe Kool-Aid (pluhur që derdhet në ujë, si pije freskuese – v.j.).
Minimalistët Kalifornian, si Robert Irvin që shfaqet në MCA, ishin psikodelikë në mënyrën e tyre, duke krijuar objekte introspektive të frymëzuara nga të njëjtat traditat zene apo taoiste, si disa nga hipikët. Judy Chicago, gjithashtu në këtë aspekt bëri mandalë të mëdhe psikodelike, të frymëzuar nga ideologjitë feministe që mbinë edhe në kundërkulturën hipike. Është e vërtetë, natyrisht, se estetika hipike ishte gjithçka pos minimale. Por, artistët e Dritës dhe Hapësirës ishin, siç sugjeron ekspozita “Vera e pafund”, të frymëzuar nga kombinimi dhe riorganizimi i jetës në art dhe anasjelltas.
Revolucionet kundërkulturore të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970 kaluan edhe oqeanet, pasi masat e studentëve dolën në rrugët e Paris në pranverën e vitit 1968. Ilustrimet e Emory Douglasit në gazetën “The Black Panther” kishin ndikim në grupet revolucionare në Amerikën Latine, në Afrikë dhe në Azi. Ndërkohë, Minimalistët Kalifornian arritën të lidhin hendekun midis artit minimal, pop artit të Andy Warholit dhe revolucionit hipi, duke përfshirë në format e tyre medituese më shumë kritikë sesa fantazi.
Të mos harrojmë se era e revolucionit rri pezull në ajër jo veç mes shiut me ngjyra të LSD-së dhe dashurisë së lirë. Këtë e shikojmë nga titujt e kohës sonë. Politika e kundërkulturës mbetet kryesisht e pandryshuar – trajtimi i pabarazisë, dhunës, ndryshimeve klimatike. Utopia është ende një ëndërr në horizont dhe distopia një mundësi e frikshme. /Telegrafi/
Banka Qendrore e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit
Rama: Vetëm këtë vit në kryeqytet janë mbjellë 30 mijë kuror...
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit u ndoq nga numri më i vogël...
Komuna e Vushtrrisë ndalon përdorimin e doracakëve “Edukimi ...