Opozita dëshiron konsensus për dialogun, por pa Thaçin kryenegociator

15:27 | 11 Qershor 2018
M. A.

Platforma e qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, u tërhoq nga Kuvendi të martën me arsyetimin se partitë duhet të zhvillojnë diskutime dhe të japin propozime për finalizimin e negociatave me shtetin serb.

Kryeministri Haradinaj ditë më parë kishte thënë se qeveria pret nga partitë që të vijnë me propozime për temën e dialogut.

“Me këtë i japim kohë spektrit politik, grupeve parlamentare që të vijnë me idetë dhe propozimet e tyre. Kosova ka nevojë ta gjejë formulën e një përfaqësimi gjithëpërfshirës në këtë temë kaq të rëndësishme”, kishte thënë Haradinaj.

Për koncensus po pajtohen edhe partitë në opozitë. Por ato po kundërshtojnë që bisedimet me Serbinë të udhëheqen nga Thaçi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë për lajmi.net se njëra nga arsyet pse e kundërshtojnë platformën aktuale, janë kompetencat që i merr presidenti.

Sipas saj, së pari duhet të ketë një rishikim të gjithë procesit të dialogut e pastaj të vazhdohet me hapat e tjerë.

“VV-ja i ka bërë të qarta qëndrimet e veta. E kemi kundërshtuar këtë platformë që nga momenti i parë kur është bërë publike, jo vetëmpër shkak të përmbajtjes, por edhe për shkak të kompetencave dhe autorizimeve që i janë dhënë presidentit Thaçi .Dhe poashtu ne kemi përcaktu se si e shohim vazhdimin e dialogut, duke fillu me rishikmin gjegjësisht hetimin e marrëveshjeve që janë bërë më herët në gjithë procesin e dialogut”, ka thënë Nagavci.

Deputetja e VV-së tutje deklaroi se në procesin e negociatave me Serbinë do të duhej të përfshiheshin edhe nivelet akademike, shoqëria civile dhe palët e tjera.

“Pastaj me përfshirjen e të gjitha palëtve, jo vetëm partitë politike, por edhe nivelet akademike, shoqërinë civile, dhe gjithë personat që mund të kontribuojnë në këtë proces, që të jetë gjithpërfshirës që të arrihet konsensus i plotë që të vazhdohet përpara”, theksoi deputetja Nagavci.

Pro konsensusit është shprehur edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

Deda thotë për lajmi.net se partia e tij nuk e sheh konsesusin në mënyrë të njejtë sikur zyra e presidentit.

Sipas deputetit Deda, çështja me Serbinë nuk duhet të zgjidhet me imponime brenda politikës në Kosovë.

“Alternativa është krijuar për shkak të mungesës së konsensusit në politikën e Kosovës për çëshjet nacionale. Dhe një prej shtyllave të programit tonë është që temat e mëdha shtetërore të arrijnë të zgjidhen nëpërmjet një konsensusi të gjerë politikë. Ne kemi marrë pjesë në tri tryezat e mëhershme, do të marrim pjesë edhe në tryezën e PSD-së. Mirëpo ne nuk e shohim konsensusin në mënyrën e njëjtë siç e sheh zyra e presidentit. Çështja me Serbinë duhet të zgjidhet me konsensus por jo me imponime brenda faktorit politik shqiptar në Kosovë”, ka thënë Deda.

Edhe LDK-ja është në pritje të një platforme tjetër për dialogun me Serbinë. Kështu të paktën tha Avdullah Hoti në konferencën për media.

“LDK është parti opozitare dhe ne jemi partia e parë që e kemi mbështetur dialogun por jemi parti opozitar. Lidhur me këtë platformë ajo nuk e ka mbështetjen tonë do të presim çfarë do të ndodhë me platformën tjetër”, tha Hoti,

Por Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Thaçi e cilësoi vendimin për tërheqjen e platformës si maturi politike.

Sipas tij me këtë vendim partitë do të kenë kohë të ndërtojnë një konsesus më të gjerë që të arrihet deri te një marrëveshje finale.

“Ky veprim i qeverisë dëshmon maturi politike sepse iu mundëson partive politike që të arrijnë të ndërtojnë një koncensus të gjerë politik, i cili është shumë i nevojshëm në këtë fazë përfundimtare të këtij procesi”, kishte thënë Çollaku.

Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë që një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet deri në fillimin e vitit 2019.

Por ende nuk ka ndonjë datë se kur do të vazhdojë procesi i dialogut mes presidentit Thaçi dhe Vuçiqit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme