Vetëvendosje reagon pas arrestimit të Frashër Osekut

20:11 | 8 Qershor 2018
Arbresh.info

Arrestimi i aktivistit të Vetëvendosjes, Frashër Oesku, nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare Hani i Elezit, ka ngjallur reagime të shumta. Oseku, ka pasur fletë ndalim, për arsye të përdhosjes së flamurit të Kosovës, në guacën e banjos së tij. Kjo kishte ndodhur kohë më parë, por arrestimi i tij nuk ishte bërë për shkak se ai jeton në Gjermani.

Për arrestimin e tij ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se Policia nuk ia ka bërë me dije se përse e kanë arrestuar, dhe kanë refuzuar të identifikohen me emër ose numër personal edhe pse ky i është kërkuar nga familjarët e Oseku.

Ky është reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

Morëm vesh nga mediat se është arrestuar duke hyrë në Kosovë veterani i luftës çlirimtare, Frashër Oseku. Z. Oseku ka qenë në kufirin e Hanit të Elezit duke u kthyer në atdhe prej Suedisë ku jeton në mërgatë, bashkë me familjen e tij.

Policia nuk ia ka bërë me dije se përse e kanë arrestuar, dhe kanë refuzuar të identifikohen me emër ose numër personal edhe pse ky i është kërkuar nga familjarët e z. Oseku.

Cilado që të jetë arsyeja e arrestimit të z. Oseku, policia nuk ka të drejtë të sillet në mënyrë arbitrare, duke mos e treguar arsyen dhe duke mos u identifikuar. Për më tepër që z. Oseku ka ofruar bashkëpunim me policinë, duke thënë se do të paraqitej vetë në stacion, posa të përcillte fëmijët deri në shtëpi.

Frashër Oseku ka kontribuar në luftën çlirimtare si vullnetar i ardhur nga mërgata, e ai është plagosur rëndë në luftën që e çliroi Kosovën. Ky trajtim i veteranit dhe invalidit të luftës është i padenjë, dhe nuk i bën nder as policisë e as qeverisë së Kosovës. Nuk mbrohen simbolet e imponuara duke burgosur ata që kanë luftuar për lirinë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme