Zharku reagon pas konferencës së Lekajt për 53 milionët që do t’i paguhen Bechtelit

19:52 | 8 Qershor 2018
Arbresh.info

Njeriu që është prapa vendimit për t’ia dhënë 53 milionë euro shtesë kompanisë, Bechtel Enka, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka dalë në një konferencë për to, të premten pasdite.

Me shumë dokumente para vetes, Lekaj ka provuar të shpjegojë vendimin kundërthënës për ndarjen e këtyre parave. Ndaj kësaj konference ka reaguar ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai po thotë se Lekaj nuk ka argumentuar asgjë.

“As në konferencën që e thirri vetë me bujë të madhe, ministri Lekaj nuk bëri publik as edhe një dokument të vetëm”, ka shkruar në Facebook Zharku.

Ai tutje ka thënë se Lekajt i duhen edhe disa ditë që t’i përgatisë faktet.

“Me sa duket, ministri ka nevojë edhe për ditët e vikendit qe t’i përgatisë “dokumentet” që nuk ekzistojnë”, ka thënë ish-ministri Zharku.

Ministri Lekaj, në konferencën e paralajmëruar për media ka shpalosur një përmbledhje të historisë së kontratës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bechtelit . Ai as për 45 minutat e konferencës nuk ka thënë sqarime të arsyeshme se si u vendos t’i jepen Bechtel-Enka’s kostoja shtesë prej 53 milionë eurove.

Lekaj ka akuzuar ish-ministrin Zharku për situatën e krijuar rreth kontratës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bechtel-Enka për autostradën Prishtinë-Hani e Elezit. Dëmi prej 53 milionë euro, sipas Lekajt, erdhi si pasojë e mosrespektim të marrëveshjes për pagesën e Bechtelit për çdo vit.

“Ministria përmes kësaj marrëveshje është duke shpëtuar nga rreziku i humbjes së edhe më shumë mjeteve”, ka thënë Lekaj, shkruan Express.

Ai thotë se kostoja prej 53 milionë eurove erdhi si pasojë e zgjatjes së pagesave dhe mosefikasitetit të Qeverisë së kaluar për t’iu përgjigjur financiarisht Bechtelit ashtu siç parashihte kontrata.

Kurse, kompania “Bechtel & Enka”, përmes një komunikate gjatë ditës, ka thënë se vendimi i qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove nuk pasqyron kostot e plota të tyre që lidhen me zgjatjen e punëve, por ai është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë me Qeverinë e Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme