Marrëveshja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, çështje orësh!

13:20 | 8 Qershor 2018
A. B.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e Planit 18 reformues të Qeverisë, në lidhje me mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë deklaroi se “Maqedonia ndodhet në metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare”.

“Orët e ardhshme do të jenë kyçe për vendosjen e epilogut të këtyre negociatave. Unë mendoj se është shumë herët për të thënë se cili do të jetë epilogu, mirëpo mendoj se janë metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare, ndërsa zakonisht metrat e fundit janë më kritike, të cilat mund të vërtetojnë epilogun në një drejtim pozitiv apo negativ”, u përgjigj Osmani në pyetjen e gazetarëve.

Osmani shtoi se ekziston vullnet dhe angazhim aktiv nga të dyja anët, ndërsa në ndërkohë edhe inkurajim, ndihmë dhe përpjekje nga miqtë ndërkombëtarë për të lehtësuar mosmarrëveshjen midis dy vendeve.

“Ndjenja ime është se dallimet më shumë janë në interpretimin e të shkruarës se sa në parimet e përgjithshme, të cilat i shprehin palët në bisedime”, tha zv/kryeministri i Qeverisë.

Osmani Planin 18 e prezantoi para sektorit civil dhe mediave në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane. Ai tha se fokusi i këtij plani reformues do të jetë në shtyllat kryesore, të tilla si gjyqësori, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike si dhe në shërbimet e sigurisë.

Siç njoftoi ai, ky plan i ri qeveritar do të lansohet këtë javë dhe do të mbulojë periudhën nga përfundimi i Planit 3-6-9 deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian, përkatësisht siç tha ai, deri në fillimin e negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë.

Plani 18 reformues vijon pas Planit 3-6-9, i cili është miratuar në muajin korrik të vitit të kaluar, bazuar në programin e Qeverisë së Maqedonisë, në Marrëveshjen e Përzhinës, Raportin e Pribes, Komisionin e Venecias, Komisionin e Grekos si dhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme