Google ADS

Vetëvendosje zyrtarisht vendos t’i bojkotojë emisionet e Baton Haxhiut

20:06 | 6 Qershor 2018
M. A.

Pas dekorimit të drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiut, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në asnjë debat që udhëhiqet nga Haxhiu.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të refuzojë pjesëmarrjen në emisionet ku udhëhiqen nga Haxhiu.

“Tani që raporti PDK-Baton Haxhiu u kurorëzua me medalje presidenciale, për Lëvizjen është e qartë që ky raport duhet të neutralizohet duke e defaktorizuar shërbyesin. Këtë do ta bëjmë duke refuzuar çdo bashkëpunim me çdo emision që moderohet nga Haxhiu”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje ka thënë se “pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim”

“Zakonisht pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim. Kështu e kërkon edhe natyra e punës së agjentëve, por meqë Haxhiu po e bën tash e sa kohë mbrojtjen e shërbimin haptas për PDK-në atëherë edhe Thaçi po ia kthen këtë nder në formë krejt transparente, para kamerash”.

“Gazetarët nuk do të duhej të pranonin medalje nga një president i tillë siç është Thaçi, por meqë e ka filluar, ne e inkurajojmë Hashim Thaçin që të dekorojë edhe të tjerë dhe kështu na e bën edhe më të qartë se cilët janë oborrtarët e tij”, ka shkruar Vetëvendosje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme