Skënderbeu në ankth për Europën: Presim që CAS të vendosë këtë javë

11:00 | 6 Qershor 2018
Arbresh.info

Skënderbeu pret me ankth vendimin e CAS-it të Lozanës, ku ka reklamuar dënimin e ashpër të UEFA-s me pezullim 10-vjeçar nga Kupat e Europës.

Para së gjithash, kuqebardhët presin një “masë sigurimi”, pezullimin e dënimit në fjalë dhe marrjen pjesë në Champions sezonin në vazhdim, si kampionë të Shqipërisë. Klubi korçar i futbollit ka bërë me dije se nuk ka ende një vendim:

“Duke ndjekur me vëmendje interesin e treguar gjatë ditës së sotme në lidhje me një vendim të mundshëm nga CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se nuk ka ende një vendim në lidhje me kërkesën e paraqitur nga KF Skënderbeu.

Ashtu si edhe ju kemi njoftuar paraprakisht, Klubi i Futbollit “Skënderbeu” ka paraqitur në CAS kërkesën për pezullimin e efekteve të vendimit të Komisionit të Apelit pranë UEFA-s dhe jemi në pritje të një vendimi, i cili pritet të merret brenda kësaj jave.

Duke marrë shkas nga paqartësitë e shfaqura, interesin e madh dhe pritshmëritë tuaja, ju informojmë se nuk ka një date, ose orar të paracaktuar. Në momentin që klubi do të njihet me vendimin, do të bëhet publik për mediat dhe opinionin publik. Faleminderit për mirëkuptimin!” /telesport.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme