Shqiptarët në njësitet speciale në Maqedoni numërohen në gishta

09:41 | 5 Qershor 2018
Arbresh.info

Vazhdon Përfaqësimi joadekuat i shqiptarëve në njësitë speciale.

Gentian Dauti, i cili është polic në njësinë për intervenim të shpejtë, përmes Facebook-ut ka reaguar për numrin e ulët të shqiptarëve në këtë njësit.

“Komandant i njësitit (Командант на Единицата) është maqedon, zëvendësi maqedon , 3 ndihmës Komandanta janë maqedon, Komandanta te objekteve (Командири на чета) janë 10 dhe ndihmës 10, domethënë as 1 Shqipëtar, Komandant udhëheqës (Командир на вод) të 30 policëve ka vetëm 1 Shqipëtar, gjithësej prej 15, udhëheqës si (лидер) i 5 policëve ka vetëm 8 Shqipëtar gjithësej prej 72, Instruktora prej 20 asnjë shqiptar ,nëpër shtabe asnjë Shqipëtar me cfarë fjalësh dilni e tregoni që i kemi të drejtat e barabarta??”

Sipas këtij reagimi të Dautit, në njësinë ku ai bën pjesë, ka policë me rreth 15 vjet përvojë pune por që nuk avancohen edhe pse i plotësojnë kriteret. Me ironi, Gentiani shkruan se i vetmi përmirësim që është bërë në njësinë për intervenim të shpejtë, është punësimi i 3 kuzhinierëve shqiptarë. I pyetur për avancimin e shqiptarëve nëpër njësi speciale të vendit, zëvendësministri i brendshëm Agim Nuhiu tha se kjo ditë nuk është e largët.

“Jemi të orientuar dhe tani është në rrjedhë e sipër edhe një konkurs, ku kemi kërkesa për inkuadrime të reja, kemi motivuar punonjës shqiptarë që edhe ata të jenë pjesë e njësive speciale dhe dua të them se rreth 40 shqiptarë në njësitin për intervenim të shpejtë”, tha Agim Nuhiu – zv/ministër për punë të brendshme.

Në njësinë speciale për rend publik, përfaqësimi i shqiptarëve është 30% tha Nuhiu, duke mos fshehur faktin se në njësiti për intervenim të shpejtë “Tigrat” nuk është i punësuar asnjë shqiptar.

“Kolegët e mi paraprak të cilët kanë qenë në pozitën e zëvendësministrit kanë qenë të orientuar për të motivuar shqiptarët që të inkuadrohen në këtë njësi, por ka munguar interesimi i duhur, ka pasur edhe hile në drejtim të selektimit por edhe demotivim që shqiptarët të mos inkuadrohen në këtë njësi”, u shpreh Agim Nuhiu – zv/ministër për punë të brendshme.

Nuhiu tha se ka shqiptarë që kanë kapacitete profesionale dhe morale për të drejtuar me njësi speciale të vendit dhe shumë shpejtë një pjesë e tyre “do të marrin detyra menaxheriale në kuadër të këtyre njësive speciale”, megjithatë zëvendësministri nuk jep asnjë afat kohor se kur mund të bëhen këto emërime./TV21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme