Google ADS

Kosovari e vret kushëririn për të cilin dyshonte se ka lidhje me bashkëshorten e tij

07:12 | 5 Qershor 2018
Arbresh.info

Ngjarja ka ndodhur më 12 maj 2016 rreth orës 05:00 të mëngjesit. Sipas aktakuzës, 61-vjeçari i pandehur e kishte marrë me vete një pistoletë të karikuar nga vendbanimi i tij në Sirnach.

Armën e kishte sjellë në Zvicër ilegalisht në vitin 2012, pas pushimeve verore nga vendlindja e tij në Kosovë. Me veturën e tij ai ka shkuar në St.Gallen, për t`ia zënë pritën kushëririt të tij që po shkonte në punë.

“Sipas bindjes së pakonfirmuar të të akuzuarit, dyshohet se viktima ka pasur marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij që kishte ndërruar jetë në korrik të vitit 2015”, shkruan në aktakuzë prokuroria.

Me një kapelë mbi kokë dhe në dorën e majtë me një ombrellë, ai ka marrë pozitën fillimisht në një oborr në rrugën “Webergasse”, për të vëzhguar banesën e kushëririt, shkruan “Tagblatt”, përcjell Albinfo.ch.

Në çastin që viktima po dilte nga banesa pa ndonjë dyshim, i pandehuri vrapoi duke iu afruar pas shpine. Ai ia drejtoi pistoletën në gjendje gatishmërie dhe e shkrepi nga një distancë e afërt. Për shkak të bllokimit të armës, plumbi nuk u shkrep.

I pandehuri nuk u dorëzua aq lehtë në synimin e tij. U tërhoq një hap prapa dhe manovroi edhe një herë më armën. Ai e hoqi plumbin që nuk ishte shkrepur dhe për herë të dytë shkrepi armën mbi kushëririn e tij nga afërsia. Kësaj radhe plumbi e qëlloi viktimën në kokë, duke u rrëzuar përtoke pa ndjenja.

Vrasësi i dyshuar vrapon nga vendngjarja dhe e merr një taksi për të vazhduar rrugën për në Gossau. Nga një bankomat të atjeshëm, ai merr 50 franga për ta paguar taksin. Më në fund, me tren vazhdon rrugën për në Wil, ku armën e fshehu në një shkurre. Më 9 qershor të vitit 2016, vrasësi arrestohet. Që nga kjo kohë, ai gjendet në paraburgim.

Më 3 korrik të këtij viti, ai pritet të paraqitet para Gjykatës rajonale të St. Gallenit për akuzat që e rëndojnë. Prokuroria e akuzon për vrasje dhe shkelje të shumëfishtë të Ligjit për armëmbajtje pa leje, njofton më tej Albinfo.ch. Ajo parasheh një dënim me burg prej 18 vitesh dhe gjobë me kusht prej 90 mëditjeve me nga 30 franga.

Shpenzimet e deritanishme gjyqësore sillen rreth 70.000 franga dhe pritet t`i vihen në barrë të dyshuarit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme