Google ADS

Abdixhiku thotë se opozita po punon për rrëzimin e qeverisë

00:07 | 5 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së, ka thënë se opozita është në bisedime për të bërë numrat e mjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë Haradinaj.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se opozita aktualisht s’i ka votat, por “sapo që të bëhen vota, do të hedhet në votim mocioni i mosbesimit të qeverisë”.

“Kemi 27 deputetë, jemi në diskutim me partitë politike për të bërë numrat dhe si të bëjmë numrat do ta hedhim në votim. Po të kishim 61 vota do ta bënim. Ecuria e kësaj qeverie varet nga opozita. Me aq sa kam kuptuar nga deklarimet publike edhe partitë tjera opozitare janë të gatshme të mbështesin iniciativën. Është iniciativë e opozitës jo partiake”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se si opozitë nuk duan që ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe “sepse e ndjejmë se bëhemi pjesë e planeve të një shteti tjetër”.

Sa i përket platformës politike për fazën e fundit të dialogut, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja e sheh platformën e propozuar nga qeveria si të përgatitur dobët, jo serioze dhe me pretendime jokushtetuese.

Ai po ashtu ka thënë se roli i presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë nuk mund të mbikëqyret nga Kuvendi dhe as ai nuk i raporton Kuvendit.

“Kundërshtimi i dytë ka të bëjë me emrin e presidentit Thaçi që është më së paku i favorshëm për këtë fazë të dialogut. Kosovës i duhet konsensus”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Thaçit se “Kosova është e gatshme të bëjë kompromise”.

“Kjo deklaratë ishte e pamatur. Me këtë qasje nuk shkohet në dialog. Edhe po të kesh pretendime të tilla, nuk deklarohet haptas”, është shprehur ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme