Google ADS

Tahiri akuzon rëndë Qeverinë për asociacionin: Ka bërë gabime që do t’i kushtojnë Kosovës

16:20 | 3 Qershor 2018
M. A.

Qeveria e Kosovës ka bërë gabime serioze që do ti kushtojnë shumë Kosovës, duke lejuar që vetëm ekipi menaxhues të merret me hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe duke përjashtuar veten nga ky proces.

Kështu ka deklaruar personi që udhëhoqi me vite të tëra bisedimet teknike me Serbinë.

Ish kryenegociatorja e bisedimeve Edita Tahiri,  në një intervistë për Gazetën Blic ka thënë se Qeveria e Ramush Haradinajt ka një qëndrim mospërfillës ndaj Dialogut të Brukselit edhe pse sipas kompetencave dhe autorizimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës është përgjegjëse për proceset e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve.

“Këtë po e them sepse Qeveria aktuale ka bërë gabime serioze që do ti kushtojnë shumë Kosovës, duke lejuar që vetëm ekipi menaxhues të merret me hartimin e statutit dhe duke përjashtuar veten nga ky proces si dhe duke përjashtuar rolin lehtësues të OSBE-së.

Për mendimin tim, Qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë veprime për ta korrigjuar procesin e hartimit të statutit, në mënyrë që grupi punues të përfshijë vet qeverinë dhe OSBE-në.

Pra, qeveria duhet të ndal sjelljen e sajë mospërfillëse ndaj procesit të hartimit të statutit dhe të dialogut në përgjithësi.” ka thënë Tahiri.

Ajo në këtë intervistë ka folur në detaje për marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se krijimi i saj nuk është i ngutshëm dhe se marrëveshja ka qenë që ASK të formohet kur Serbia shuan të gjitha strukturat paralele serbe në veri.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me Edita Tahirin.

Edita Tahiti, ish Krye negociatore e Kosovës në negociatat teknike me Serbinë

Gazeta Blic: Duke parë zhvillimet e fundit, a mendoni se formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është i pashmangshëm brenda këtij viti ?

Edita Tahiri: Në aspektin e zbatimit është shumë me rëndësi strategjike që statuti i Asociacionit të respektoj Ligjet e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës kushtetuese, ashtu siç kërkohet nga Marrëveshja e Brukselit për asociacionin.

Ndërsa në aspektin kohor, procesi i formimit të asociacionit duhet të jetë i lidhur me procesin e zbatimit të një numri të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, të cilat i ka bllokuar deri më tani.

Serbia ka obligim të zbatoj marrëveshjen për energjinë, mosbllokimin e hapjes së urës së Ibrit për lëvizje të lirë, zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale të Kosovës, njohjen reciproke të diplomave mes dy shteteve dhe shuarjen e strukturave të mbetura paralele serbe përfshirë këtu në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

Në periudhën kur kam qenë kryenegociatore, kemi pasur dakordim trepalësh në Bruksel (Kosova, BE, Serbia) që procesi i hartimit të statutit duhet të zhvillohet në mënyrë sinkrone me procesin e shuarjes së strukturave të mbetura paralele serbe, për të cilën një grup trepalësh do të zhvillonte bisedime dhe do të arrihej një marrëveshje.

Qëndrimi i jonë si Qeveri e Kosovës ka qenë i qartë se Asociacioni mund të formohet vetëm atëherë kur shuhen plotësisht strukturat e mbetura paralele serbe.

Të gjitha këto dakordime janë në dokumentet e dialogut të Brukselit të botuara në website-n e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, ka qenë dakordim në Bruksel që procesi i hartimit të statutit të bëhet nga një grup punues i përbërë nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e komunave në fjalë me lehtësimin e OSBE-së, respektivisht ekipi menaxhues që përfaqëson dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, Ministria e Administrimit të pushtetit Lokal e përfaqësuar nga zëvendësministri shqiptar (duke qenë se Ministri është i përkatësisë serbe) dhe ky proces do të lehtësohej nga OSBE-ja.

Mirëpo, kjo qeveri aktuale ka një qëndrim mospërfillës ndaj Dialogut të Brukselit edhe pse sipas kompetencave dhe autorizimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës është përgjegjëse për proceset e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Këtë po e them sepse Qeveria aktuale ka bërë gabime serioze që do ti kushtojnë shumë Kosovës, duke lejuar që vetëm ekipi menaxhues të merret me hartimin e statutit dhe duke përjashtuar veten nga ky proces si dhe duke përjashtuar rolin lehtësues të OSBE-së.

Për mendimin tim, Qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë veprime për ta korrigjuar procesin e hartimit të statutit, në mënyrë që grupi punues të përfshijë vet qeverinë dhe OSBE-në.

Pra, qeveria duhet të ndal sjelljen e sajë mospërfillëse ndaj procesit të hartimit të statutit dhe të dialogut në përgjithëse.

Qeveria e Kosovës duhet të zhvilloj politika strategjike ndaj dialogut të Brukselit dhe jo të sillet me logjikën e mospërfilljes që cenojnë interesat nacionale të Kosovës, për të mos lejuar devijime nga marrëveshjet e arritura dhe për të kërkuar nga BE që ta detyroj Serbinë që kryej obligimet e saja zbatuese.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është e interesuar për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse me këtë marrëveshje asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive.

Ajo që po provon Serbia është që ta zvarris këtë proces, për ta futur çështjen e asociacioni në pakon e marrëveshjes përfundimtare që do të ndodh në të ardhmen, me qëllim që të shtojë kërkesat për asociacionit në këmbim të njohjes reciproke mes dy shteteve.

Kosova dhe institucionet shtetërore nuk duhet të bllokojnë lojërat e tilla djallëzore të Serbisë, sepse Kosova nuk mund të bëjë kompromise, mjaft i ka bërë në bisedimet e Vjenës ku Plani i Ahtisarit i ka dhënë komunitetit serb të drejta maksimale përtej standardeve ndërkombëtare, dhe më shumë se komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

Mjafton të theksoj se Plani i Ahtisarit ka mundësuar që komuniteti pakicë serb të ketë dhjetë komuna me shumicë serbe, që përbëjnë 25 përqind të komunave të Kosovës, ndërkohë që vet serbët nuk janë më shumë se 5 përqind në Kosovë, pra u është dhëne pesë fishi.

Nëse bëjmë një krahasim me Maqedoninë, ku shqiptarët janë mbi 35 përqind ndërsa Marrëveshja e Ohrit i ka reduktuar të drejtët e tyre ku komunat me shumicë shqiptare në gjithsejtë katër pesë komuna.

A ka Kosova një afat të caktuar se kur duhet ta finalizoj përfundimisht asociacionin e komunave me shumicë serbe ?

Edita Tahiri:  Afati i caktuar për finalizimin e asociacionit është i njëjti afat kur Serbia duhet të zbatoj marrëveshjet e bllokuara deri më tani. Ky afat duhet të dakordohet në Bruksel, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet ti paraqesë Bashkimit Evropian një plan strategjik për zbatimin e marrëveshjeve të bllokuara nga ana e Serbisë, të bazuar në dokumentin të cilin unë si Krye negociatore ia kam paraqitur Brukselit në qershor 2017, dhe në të cilën paraqiten obligimet zbatuese të dyja shteteve

Në kohën e juaj, a ka pasur pala kosovare ndonjë kërkesë karshi BE-së, lidhur me formimin e asociacionit, e kam fjalën për raportimet e medieve serbe që Kosova ka vënë kusht që Gazivoda dhe Trepça të kthehen tërësisht në pronësi të Kosovës dhe më pastaj të themelohet Asociacioni.

Edita Tahiri: Qeveria e kaluar e Kosovës dhe unë si krye negociatore kemi paraqitur qëndrimin e prerë që asociacioni do të formohet kur Serbia shuan strukturat e mbetura paralele dhe i zbaton marrëveshjet që i ka bllokuar, pra energjinë, hapjen e urës së Ibrit, kthimin e dokumenteve kadastrale dhe njohjen e diplomave. Ndërsa, kemi kërkuar që realizimi i obligimeve të bëhet në mënyrë sinkrone ashtu që dyja shtetet të kenë të përfunduara të gjitha obligimet zbatuese në të njëjtën kohë.

A e ka Kosova të domosdoshëm krijimin e këtij asociacioni, dhe çka rrezikon Kosova nëse nuk e krijon këtë asociacion?

Edita Tahiri: Asociacioni pa kompetenca ekzekutive, në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës ashtu siç e përcakton Marrëveshja e Brukselit, është një obligim ndërkombëtar për Kosovën, siç është edhe vet dialogu i Brukselit që është i ndërlidhur me integrimet evropiane për Kosovën.
Me zbatimin kosekuent të asociacionit sipas marrëveshjes së Brukselit dhe vendimit të Gjykatës kushtetuese, Kosova nuk rrezikon asgjë sepse asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk e cenon karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Por nëse vazhdojnë qëndrimet mospërfillëse dhe nëse mungon qasja straregjike e Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut të Brukselit dhe këtij asociacioni, atëherë mund të rrezikohen interesat nacionale dhe shtetërore të Kosovës./Gazeta Blic/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme