Nga gjetjet e Auditorit ka dalur se në tri raste janë dyfishuar pagesat për fermerët. Për një lopë ata janë kompensuar me 2 mijë e 400 euro, shkruan lajmi.net.
Shuma totale e shpenzimeve në këto tri raste sipas raportit të Auditorit, shkon në mbi 7 mijë e 200 euro.
“Me vendim të Qeverisë është aprovuar kompensimi i fermerëve vendor për dëmin e pësuar me rastin e ngordhjes së kafshëve/gjedheve nga sëmundja gungore e lëkurës (LSD) gjatë vitit 2016. Kompensimi i fermerëve për krerë gjedhe/kafshë të ngordhura është bërë në bazë të vlerësimit të përcaktuar nga Komisioni i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të ndara sipas kategorive: lopët – 1,200€ për krerë, viçat – 500€ për krerë, dhe demat/mështjerrat – 800€ për krerë”, thuhet fillimisht në raport.
Por AUV-u është arsyetuar se deri te ky kompensim i dyfishuar ka ardhur si rezultat i një gabimi nga ana e Komisionit.
Madje thuhet se fermerët janë obliguar t’i kthejnë paratë. Por nuk dihet nëse një gjë e tillë ka ndodhur apo jo.
“AUV ka bërë zbatimin e këtij vendimi duke paguar fermerët në bazë të tri listave të aprovuara nga Komisioni për vlerësimin e dëmit të fermerëve. Nga 46 raste të audituara në vlerë prej 60,200€, në tri raste me vlerë prej 7,200€ kemi hasur në parregullsi ku ishin dyfishuar pagesat ndaj fermerëve. Fermerët janë kompensuar/paguar nga 2,400€ për gjedh, përderisa vlera e duhur për kompensim/pagesë ishte 1,200€ për gjedh. Zyrtarët përgjegjës për këtë çështje, janë deklaruar se kjo ka ardhur si rezultat i gabimit nga ana e Komisionit të vlerësimit. Gjithashtu, pas pranimit të draftit, sipas zyrtarëve përgjegjës të AUV-it, kryeshefi i Agjencionit ka ndërmarrë masat përkatëse lidhur me këto raste duke nxjerrë disa vendime me të cilat obligon fermerët që në afat prej 30 ditësh t’i kthejnë mjetet e pranuara në buxhetin e AUV-it”, ka gjetur Auditori.
Në Raportin e vitit të kaluar për Zyrën e Kryeministrit, gjithashtu thuhet se AUV-u ka bërë disa shpenzime pa qenë të kontraktura në Prokurim.
Vlera e tyre shkon në mbi 2 mijë e 800 euro.
“Në AUV, kemi hasur pesë raste, që janë realizuar procedura në të cilat janë kontraktuar shërbime/furnizime pa qenë të planifikuara në prokurim. Prej tyre, tri raste në vlerë prej 2,889€, i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve (procedura me vlerë minimale) dhe dy raste i takojnë kategorisë së investimeve kapitale në vlerë prej 124,920€”, thuhet në raport.
Në Zyrën e Kryeministrit në fillimin e vitit 2017 borxhe apo obligime të pa paguara kanë qenë 223 mijë euro. Deri në fund të vitit ato janë rritur për tri herë.
Shumica e obligimeve të papaguara sipas Auditorit janë nga AUV.
Kjo për shkak të disa analizave jashtë vendit, vaksinimit të kafshëve dhe kompensimit të fermerëve.
“Obligimet e pa paguara në fillim të vitit 2017 ishin 223,754€, deri në fund të këtij viti obligimet janë rritur afërsisht tri herë më tepër. Vlera e tyre me 31 dhjetor 2017 është 652,140€. Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara i takojnë AUV-it apo vlera prej 521,259€, që kanë të bëjnë me shpenzime për analiza jashtë vendi, vaksinim i kafshëve, kompensim i fermerëve dhe analiza laboratorike. Sipas zyrtarëve përgjegjës arsye kryesore e rritjes së obligimeve ishte mungesa e buxhetit dhe pranimi i faturave pas mbylljes së zotimeve”, ka gjetur Auditori i Përgjithshëm.
Ndryshe në raport është vlerësuar zyra e Kryeministrit për zbatimin e rekomandimeve nga viti i kaluar. /Lajmi.net/