Në Shën Vasil, një fshat i vendosur buzë rrugës nacionale 15 kilometra larg Sarandës, banorët ende jetojnë mes rrënojave dhe kujtimeve të burgut dhe ish-kampit famëkeq të punës gjatë periudhës së regjimit komunist.
Shtëpinë e Andon Gjonit në këtë fshat e vizitojnë herë pas herë ish-të burgosur politikë dhe familjarë të tyre. Kulla e dikurshme e rojës së burgut gjendet në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa vetë shtëpia ishte dikur dhoma e takimeve të familjarëve me të burgosurit.
Vitet e fundit të diktaturës Andoni shërbeu si ndihmës i të atit dhe së bashku transportonin me kafshë ngarkese ujë të pijshëm për burgun. Banorët edhe pse jashtë mureve ishin dëshmitarë të torturave dhe vrasjeve të shpeshta të të burgosurve.
“Kur kam ardhur dikur këtu, një i burgosur doli nga pjesa që tashmë është shtëpia ime, me barkun e çarë. Kur e kam parë që i kanë dalë zorrët jashtë, jam tmerruar dhe nuk vija më këtu”, tregon Andon Gjoni.
Shumë prej mjediseve të dikurshme të burgut si fjetorja e ushtarëve, mensa, komanda përfshi edhe qelitë e të burgosurve janë kthyer në shtëpi banimi të rrethuara nga rrënoja për të cilat historia mbetet e mjegullt. Andoni thotë se me punën e të burgosurve u punuan e mbollën me pemë frutore e ullinj gjithë kodrat që rrethojnë Shën Vasilin.
“Biruca ka qenë pas shtëpisë sime. Ambienti që unë kam sot, kanë qenë dhomat e takimit të burgut. Këtu kanë qenë 1670 persona. E këputën fshatin nga burgu. Ka qenë një postbllok ushtarak”, thotë Gjoni.
Në pjesën e pasme të godinës, që tani është banesa e Andon Gjonit, gjenden gjurmë të qelive e ndëshkimit të të burgosurve. Ende duket qartë se përmasat e qelisë nuk e lejonin të burgosurin të ulej apo shtrihej dhe izolimi në qeli të tilla ishte mes formave më tipike të torturës brenda kampit.
Në Shën Vasil vuajtën dënimin, torturat dhe punën e detyruar shumë intelektualë disidentë të kohës përfshi at Zef Pllumbin, poetin Havzi Nela e shumë të tjerë./Top Channel
I bie profili i metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizren
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...