Google ADS

E dini kush e ka krijuar modelin e makinës Volkswagen?

20:51 | 31 Maj 2018
Arbresh.info
Volkswageni “brumbull” ia dedikon lindjen e tij nazistëve: 80 vjet më parë Adolf Hitleri vuri gurin e themelit për fabrikën e Volkswagenit në Wolfsburg. Një bilanc kritik i një historie gjermane suksesi.
Dy burra, një projekt i madh: Adolf Hitleri dhe Ferdinand Porsche janë krijuesit e veturës “brumbull” Volkswagen. Porsche është konstruktori gjenial, Hitleri ai që ndihmoi politikisht në lindje. “Këtu e gjetën njëri-tjetrin dy vetë që përshtateshin me njëri-tjetrin”, konkludon historiani Wolfram Pyta, profesor i historisë në Universitetin e Shtutgartit.
41099670_303

Së bashku me kolegët historianë Nils Havemann dhe Juta Braun ai ka shkruar në librin “Porsche. Nga zyra e konstruksionit në markë botërore” historinë e koncernit, të themeluar më 25 prill 1931 në Shtutgart.

Përmbledhtazi: Pa mbështetjen e Hitlerit, Porsche nuk do ta kishte përfunduar dot projektin e Volkswagenit: “Hitleri kishte nevojë për një mendje krijuese, për të ndërtuar një automjet të vogël, të përshtatshëm për t’u prodhuar në seri”, thotë Pyta. “Kurse Porsche kishte nevojë për një porosidhënës politik, që t’i mundësonte të mos prodhonte nën presionin e kostos.”

Motorizimi dhe mobilizimi

Që në ekspozitën e automjeteve në shkurt 1933, pra pak javë pasi e kishin emëruar kancelar të Rajhut, Hitleri pati shpallur “motorizimin e popullit”. Në verë 1934 “Shoqata e Rajhut e Industrisë Automobilistike Gjermane” e ngarkoi Porschen që të konceptonte një automjet “fuqi përmes gëzimit”, i quajtur me të njëjtin emër si organizata naziste e organizimit të kohës së lirë.

Në 29 dhjetor 1935, Hitleri, i cili vetë nuk kishte patentë shoferi, e mori personalisht në dorëzim një prototip të “Volkswagenit të tij”. Më shumë se dy vjet më vonë, në 26 maj 1938 u festua në prani të “Fyhrerit” vënia e gurit të themelit të fabrikës së Volkswagenit në Wolfsburg.

Hitleri sheh Brumbullin e parë të Volkswagenit, Porsche në këmbë (pa kapele)
Hitleri sheh Brumbullin e parë të Volkswagenit, Porsche në këmbë (pa kapele)

Por automjeti i “fuqisë përmes gëzimit” fillimisht nuk i shërbeu motorizimit të popullit, por Vehrmahtit. Ai u përdor në front, si automjet terreni dhe kamion i vogël transporti mallrash dhe si automjet amfib.

Por askush nuk u çudit për këtë përdorim ushtarak. Sepse shndërrimi qe përcaktuar që në krye. Në një ekspoze të Porsche-s të vitit 1934 shkruhej se “një Volkswagen nuk duhet të jetë i përshtatshëm vetëm si automjet transporti, por edhe si automjet për furnizim dhe për synime të caktuara ushtarake”.

Një Volkswagen francez?

Historia e suksesit e automjetit të vogël për popullin nisi vetëm pas luftës. Për ta hequr nga supet të kaluarën naziste, atij ia ndërruan emrin në “brumbull”. Që në dhjetor 1945 – një gjysmë viti pas fundit të luftës – nga fabrika doli brumbulli i parë. Dhjetë vjet më vonë Volkswageni festoi ekzemplarin e miliontë. Vetura me kurriz dhe me motor Boxer avancoi në simbol të mrekullisë ekonomike gjermane. I njohur me emrin “Beetle” ai pati në të gjithë botën shitje rekord. Gati 22 milionë brumbuj u prodhuan gjithsej dhe u shitën.

Të kaluarën e tij nacionalsocialiste brumbulli e la pas në periudhën e pasluftës. Pikërisht ministria franceze për prodhimin industrial, e drejtuar nga komunistët, vendosi në tetor 1945 kontakt me Porschen.

“Që shkëputja nga nacionalsocializmi u bë me sukses, kjo nuk shihet askund më qartë se në përpjekjen e qeverisë franceze për ta fituar konstruktorin e Volkswagenit për shërbimet e veta”, thotë historiani Pyta.

Bildergalerie Volkswagen Hitler bei Rede am VW-Werk Fallersleben (AP)

“Optimizëm pa kufi”

Konkurenca franceze diti megjithatë si ta pengonte një “voiture populaire” gjermane. “U krijua një intrigë e konkurentëve Renault dhe Peugeot”, deklaron Pyta në bisedë me DW. “Porsche-n dhe kunatin e tij Anton Piëch e akuzuan se kishin marrë pjesë në krime lufte”.

Pas kësaj, papritur në dhjetor 1945 Porschen e arrestuan autoritetet ushtarake franceze, të cilat e mbajtën në arrest deri në gusht 1947. Por suksesin e përbotshëm të brumbullit kjo megjithatë nuk e pengoi.

Për historianin e njohur Pyeta, bashkëpunime si ai i Porsches dhe Hitlerit nuk janë kaq të jashtëzakonshme: aktorë të ashtuquajtur jo politikë shpesh impresionohen, kur sundimtarë autoritarë i tërheqin me projekte të mëdha magjepsëse: “Porsche nuk qe i vetmi që pa asnjë rezervë morale iu hodh në qafë pushtetarëve me një oportunizëm pa kufi”, thotë Pyta.

“Persona përgjegjës për ekonominë, të cilëve u intereson vetëm suksesi i sipërmarrjes së tyre ose zbatimi i projekteve ambicioze teknike, herë pas here nuk kanë rezerva që të lidhin pakte me pushtetmbajtësit.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme